Nga e hëna, asnjë mjet i transportit të mallrave, kryesisht ushqimore, që furnizojnë supermarketet e Tiranës, nuk do të qarkullojë në orarin 07:00 – 09:00 të mëngjesit.
Urdhri është dhënë nga Bashkia Tiranë, për të shmangur trafikun e madh si pasojë e nisjes së vitit të ri shkollor.
Lajmin e dha kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili nënvizoi se gjatë ditës do të ndalohet edhe qarkullimi i fadromave apo mjeteve të rënda, të cilat do duhet të punojnë pas orës 20:00 të mbrëmjes.
“Duke filluar nga data 11 shtator, me ditën e parë të shkollës, mjetet e panevojshme, edhe ato që janë nën 3.5 ton, që bëjnë transportin e mallrave ushqimore, nuk do të lejohen të qarkullojnë nga ora 07:00 deri në orën 09:00.
Nëse një çamçakëz ose një patatinë është aq e rëndësishme dhe jetike për mbarëvajtjen e atij marketi, duhet të bëhet para orës 07:00 ose pas orës 09:00. Unë besoj se këto vite kemi ndërtuar në Tiranë një komunitet që është shumë më i rëndësishëm se çamçakëzët dhe patatinat, që janë fëmijët tanë; kështu që, para fëmijëve nuk do të vëmë asnjë punë tjetër.
Do të sigurohemi që orari 7 me 9 i dedikohet vetëm lëvizjes në shkolla. Gjithashtu, nga ora 07:00 e mëngjesit deri në 08:00 të darkës fadroma, betoniere, kamionë, trajlera, nuk do të lejohen, dhe të gjitha kantieret e Tiranës, siç e kemi zbatuar vitet e fundit, do duhet të punojnë pas orës 20:00 të darkës”– tha Veliaj.