Ambasada Amerikane në Tiranë u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që ndodhen në Shqipëri që të shmangin pjesëmarrjen në protestën e nesërme, e cila do të zhvillohet nga Partia Demokratike në orën 18:00.
Ashtu sin ë protestat e tjera, tubimi do të mbahet para godinës së kryeministrisë.
Në një njoftim zyrtar, Ambasada e SHBA u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën e protestës dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve, duke theksuar se grumbullime të tilla, edhe kur nisin paqësisht, mund të përshkallëzohen me shpejtësi.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet të shtunën, më 28 shkurt 2026, në orën 18:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, mes Sheshit “Nënë Tereza” dhe Sheshit “Skënderbej”. Protesta mund të shtrihet edhe në zona përreth.
Prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të qarkullimit priten në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestës. Policia e Shtetit ka paralajmëruar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të qendrës së qytetit. Personeli i Ambasadës së SHBA-së është këshilluar të shmangë pjesëmarrjen apo praninë në protestë. Ndiqni mediat lokale dhe respektoni udhëzimet e autoriteteve ligjzbatuese për informacionet më të fundit.
Megjithëse protestat dhe grumbullimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Protesta mund të zgjerohet në blloqe dhe godina qeveritare përreth, duke shkaktuar devijime, bllokime dhe mbyllje rrugësh. Udhëzimi ynë i përhershëm është të shmangni zonat e protestës. Nëse ndodheni në qytet, qëndroni vigjilentë dhe vendosni sigurinë tuaj personale si prioritet”, njofton ambasada amerikane.
