Nesër nis Ramazani, kreu i KMSH-së uron besimtarët: Ky muaj i bekuar sjelltë paqe e begati

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit.

Përmes një videomesazhi, kreu i KMSH, uroi që ky muaj i bekuar të jetë burim paqeje, shprese dhe force shpirtërore për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë dhe punojnë, duke uruar pranimin e agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira.

Mesazhi i plotë

Nesër ne nisim agjërimin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Kam kënaqësinë t’ju drejtohem me urimet më të përzemërta, duke lutur Zotin e Madhëruar që ky muaj i bekuar të sjellë paqe, begati dhe mirësi për secilin prej jush, për familjet tuaja dhe për mbarë shoqërinë tonë.

Ramazani është një nga dhuntitë më të mëdha shpirtërore që Allahu i Madhëruar ia ka dhënë njerëzimit. Ai është muaj i agjërimit, i Kuranit, i mëshirës dhe i faljes. Në Librin e Tij të Shenjtë, Allahu thotë: ‘Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u shpall Kurani, si udhëzim për njerëzit dhe si sqarim i qartë i udhëzimit dhe dallimit.’ Ky ajet na kujton se Ramazani është kohë reflektimi dhe orientimi, kohë për t’u kthyer te vlerat themelore të besimit, drejtësisë dhe përgjegjësisë morale.

Agjërimi është një akt adhurimi që na mëson disiplinën, vetëkontrollin dhe ndjeshmërinë ndaj tjetrit.

Në këtë muaj të shenjtë, rëndësi të veçantë ka edhe dimensioni social i besimit. Ramazani na fton të forcojmë solidaritetin, të shtojmë ndihmën ndaj nevojtarëve, të jemi pranë të dobtëve dhe të kontribuojmë për një shoqëri më të drejtë dhe më humane.

Në një kohë kur shoqëria përballet me sfida të ndryshme, Ramazani na kujton rëndësinë e unitetit, të paqes dhe të bashkëjetesës. Ai na mëson se besimi i vërtetë reflektohet në sjellje të mirë, në respekt ndaj tjetrit dhe në përkushtim për të mirën e përbashkët.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.