Nesër do të jetë dita më e ftohtë e javës

Miks Albania

Java në vijim do të ketë tipare të plota dimri. Mëngjeset do të jenë të ftohta, me temperatura minimale që zbresin deri në -4 gradë Celsius, ndërsa vlerat maksimale gjatë ditës do të arrijnë deri në 14 gradë.

Temperaturat do të jenë tipike për muajin janar, ndërsa dita e martë pritet të jetë më e ftohta e javës.

Në zonat malore, termometri mund të shënojë edhe -5 gradë Celsius. 

Vranësirat do të shtohen kryesisht në ditët e fundit të javës, shoqëruar me rritje të lagështirës, çka do ta bëjë të ftohtin të ndihet edhe më shumë. Temperaturat maksimale nuk pritet të kalojnë 12 gradë. Reshje të pakta parashikohen në jug të vendit, ndërsa në juglindje priten reshje dëbore. E mërkura sjell mundësi për reshje të lehta, ndërsa nga e enjtja deri në fundjavë vendi do të ndikohet nga masa ajri më të ngrohta, duke sjellë vranësira, lagështi dhe reshje me intensitet të ulët.

Në përmbledhje, pjesa e parë e javës do të jetë e ftohtë dhe e lagësht, ndërsa pjesa e dytë do të ruajë lagështirën, por me temperatura disi më të larta. Ajo që mbetet shqetësuese janë stuhitë e erës në ditët e fundit, me shpejtësi që mund të arrijë deri në 80–85 km/orë, duke krijuar vështirësi për trafikun detar, por pa rrezik të lartë alarmi.

“Sa i përket rajonit, Kosova do të ketë mot të thatë, por të ftohtë, me temperatura që zbresin nga -5 deri në -7 gradë Celsius. Prania e ngricave dhe lagështira do ta bëjnë të ftohtin më të ndjeshëm. Edhe aty, fillimi i javës do të jetë më i ftohtë, ndërsa ditët në vijim më të buta. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut pritet të përfshihet nga reshje më të shpeshta, të cilat do të nisin që nga dita e nesërme”, tha meteorologia Lajda Porja për Euronews Albania.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.