Tashmë është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, i cili mundëson qytetarëve lëvizje të lirë në Zonën Schengen, duke nisur nga janari i vitit 2024.
Akti ligjor u nënshkrua nga presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola dhe ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian.
Pas kësaj, në konferencë për media dolën euro-deputeti njëherësh raportuesi për Kosovën në çështjen e vizave, Thijs Reuten dhe zëvendëskryeministri për integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi.
Euro-deputeti u shpreh se me këtë vendim i vjen fund padrejtësisë ndër vite ndaj Kosovës.
“Bashkimi Evropian duhet të merren me aplikimin e Kosovës për anëtarësim me të njëjtin dedikim dhe thellësi dhe shpejtësi të njëjtë sikur kemi bërë me aplikime të tjera. Sa i përket pesë vendeve që ende nuk e njohin formalisht Kosovën, besoj se ky hap që po e bëjmë tash dhe përpjekjet që janë bërë për normalizimin e marrëdhënieve, janë sinjale edhe për këto vende që të lëvizin drejtë njohjes formale”.
Kurse, Bislimi tha se Kosova është e gatshme për hapat vijues për integrim në Bashkim Evropian.
“Jemi të gatshëm për hapin vijues. Marrëveshja e fundit midis Kosovës dhe Serbisë fillon me paragrafin ku dy vendet e njohin njëri tjetrin si partner të barabartë. Kjo do të duhej të përdoret si pikë fillestare, si palë të barabarta që të ecim parapara në procesin e euro integrimit. Duam të shohim të njëjtin frymë edhe për aplikimin tonë në Këshillin Evropës por edhe për aplikimin për statusin e vendit anëtar”.
Zëvendëskryeministri shtoi më tej se liberalizimi i vizave do ta afrojë Kosovën me Bashkimin Evropian, ndërsa në muajt në vijim qytetarët do të informohen për detyrimet dhe kufizimet që ka heqja e vizave për Zonën Schengen.