Në mes të një kodre dhe me mure të larta, hapet burgu i ri i grave në Pogradec 

Miks Albania

Inaugurohet burgu i ri i grave, në Pojskë, të Pogradecit. Në këtë institucion të ekzekutimit të vendimeve penale, do të qëndrojnë vajzat dhe gratë që janë në konflikt me ligjin. Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë ambasadorë dhe përfaqësues të disa selive diplomatike në vendin tonë. 

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha se burgu i grave është ndërtuar në zbatim të rekomandimeve të avokatit të popullit dhe Komitetit për Parandalimin e Torturës. 

“Ia kemi arritur të gjithë së bashku të bëjmë një punë  të mirë që gratë dhe vajzat në konflikt me ligjin penal të kenë një trajtim dinjitoz  siç është paraparë në ligj, por edhe në të gjitha standardet europiane të trajtimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve”. 

Ministri Manja garantoi mbështetjen e qeverisë shqiptare për vijimin e reformave në sistemin penitenciar, me qëllim reformimin e këtij sektori dhe shkëputjen nga e kaluara. 

“Gratë dhe vajzat që janë këtu janë pjesë e jona. Në një moment të jetës së tyre kanë rënë në një konflikt me ligjin penal, por meritojnë një trajtim dinjitoz që shumë shpejt të kthehen pranë familjeve të tyre dhe ne kemi për detyrë t’iu krijojmë një ambient familjar. Ky ambient i bukur brenda ka nevojë edhe për një rehabilitim jashtë, pse jo, të fillojmë edhe një projekt me bashkinë që ne këtu të kultivojmë pemë dhe lule dhe t’ia dhurojmë bashkisë Pogradec”. 

Gjatë vizitës së inaugurimit të burgut të grave, të ftuarit patën mundësinë të inspektojnë workshop-et e ndryshme brenda burgut, ku zhvillohen aktivitete edukative dhe profesionale për të dënuarit. Gjithashtu, gjatë ceremonisë u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet Drejtorisë së Burgjeve dhe Ambasadës Angleze për përmirësimin e Burgut të Fushë Krujës. 

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.