Ndryshimet në Kodin Rrugor/ Të rinjtë nuk do lejohen me makina të mëdha dhe shpejtësi

Shoferët e rinj nuk do të lejohen që të drejtojnë mjete me fuqi të lartë motorike në dy vitet e para të marrjes së patentës.

Ky është një nga ndryshimet e Kodit Rrugor që u miratua nga ligjvënësit në parlament.

“Është një punë e mire duke kufizuar adrenalinën e grupmoshës së re. duke marrë një mjet me fuqi të vogël motorike detyrimisht ata nuk do të ecin dot me shpejtësi të lartë. Në këtë këndvështrim më vjen mirë që arritëm të bëjmë një përafrim ashtu siç e ka bashkimi europian”- shprehet Artur Sulçe, ekspert i aksidenteve rrugore.

Një tjetër ndryshim ka të bëjë me afatet e rinovimit të patentës, nga 10 vite që është aktualisht,  në 15 vite deri në moshën 70 vjeç. Edhe për lejet e drejtimit profesionale afatet e rinovimit do të jenë çdo 5 vite deri në moshën 70 vjeç, e jo më deri në 65 vjec.

Po ashtu sipas ndryshimeve të miratuara do të zgjatet e drejta për ushtrimin e profesionit të Instruktorit të Autoshkollës deri në 70 vjeç, nga 65 vjeç që është.

Për qytetarët që u është anuluar leja e drejtimi shqiptare për efekt konvertimi jashtë vendit, mund të rimarrin atë pa testim, edhe nëse patenta e huaj ka skaduar, pasi e dorëzojnë atë dhe heqin dorë vullnetarisht prej saj.

Propozimet për ndryshimet në kodin rrugor u miratuan më 102 vota në parlament nga të majtët e të djathtët.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.