Policia e Shtetit ka publikuar masat e marra për ditën e nesërme, për të ruajtur rendin gjatë ndeshjes në stadiumin “Air Albania”.
Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë në orën 20:45 përballë Moldavisë, në kuadrin e ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024.
Kjo ndeshje mjaft e rëndësishme për rrugëtimin e Kombëtares në Euro 2023, ndërsa aspiron të marrë tre pikë përballë kundërshtarit.
Masat e marra nga Policia e Shtetit:
- Eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të futbollit të Moldavisë, nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;
- Eskortimin dhe sigurimin e futbollistëve të ekipit të futbollit të Shqipërisë, në stadium;
- Kryerjen e kontrollit të hollësishëm në mjediset e stadiumit dhe brenda stadiumit, për persona të paautorizuar, sende dhe lëndë të ndaluara, para se të hyjnë tifozët;
- Organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit, jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;
- Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;
- Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit.
Për të garantuar sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare, një rendësi të veçantë i është kushtuar bashkëpunimit me të gjithë aktorët dhe faktorët që kanë rol në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, ndër të cilët përmendim:
- Federatën Shqiptare të Futbollit;
- Policinë Bashkiake;
- Shërbimin Zjarrfikës;
- Shoqëritë private të sigurisë (stjuartët dhe personeli i sigurisë);
- Spitalet, qendrat shëndetësore dhe ato të ndihmës së parë.
Gjithashtu, janë vendosur kontaktet dhe po bashkëpunohet edhe me personelin e shërbimit të sigurisë të ekipit të futbollit të Moldavisë, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të kësaj ndeshjeje ndërkombëtare.
Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, si dhe për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në qytetin e Tiranës, gjatë datës 17 qershor 2023, nga ora 16:00 deri në përfundim të ndeshjes, nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit.