Ndërron jetë tek “Trauma” 24-vjeçarja që u plagos nga shoferi i dehur në aksin Prrenjas-Qafë Thanë

Policia

Ka ndërruar jetë e reja, e cila ishte në koma prej 5 ditësh, pasi u plagos në aksidentin e ndodhur në aksin “Përrenjas-Qafë Thanë”.

Aksidenti i rëndë ndodhi më 8 prill, kur familja me 6 anëtarë kishte ndaluar në ambientet e një lokali, rreth 30 m larg korsisë së rrugës dhe kanë qenë jashtë mjetit të tyre. Në këtë moment, Jemtir Daçi ka humbur kontrollin dhe ka “fluturuar” mbi kokat e tyre.

Për pasojë 24-vjeçarja e ka zënë mjeti poshtë dhe ra në gjendje kome. Nga ana tjetër, nga aksidenti u plagosën vajza 10 vjeç, e cila theu këmbën e po ashtu pësoi fraktura edhe vajza 6 vjeçare, të treja motra.

Më herët sot, policia njoftoi se 44-vjeçari u arrestua, pasi po hetohej në gjendje të lirë.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të ndodhur më datë 08.04.2024, në aksin rrugor “Prrenjas-Qafë Thanë”, ku si pasojë mbetën të dëmtuar 4-shtetas, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kanë ndaluar me iniciativë shtetasin J. D., 44 vjeç, banues në Peshkopi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Shtetasi J. D., me automjetin që drejtonte, ka përplasur një automjet dhe si pasojë e humbjes së kontrollit nga drejtuesi, ka goditur dhe një automjet tip “Passat”, në ambientet e një servisi. Për pasojë janë dëmtuar 4 shtetas që ndodheshin jashtë automjetit “Passat” (pasagjerë që udhëtonin në këtë automjet).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.