Aktori i njohur Naun Shundi u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë.
Prej disa javësh u dha lajmi se artisti vuante nga një sëmundje e rëndë dhe u trajtua në një spital në Francë, e më pas u soll sërish në Shqipëri, në QSUT.
Në një mesazh prekës, bashkëshortja e tij falenderoi të gjithë ata që i dolën pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë. Ajo shkroi se në momentet më të errëta u shfaqën njerëz të mrekullueshëm që ndihmuan me kontributet e tyre për të mbështetur luftën e aktorit, regjisorit dhe dramaturgut Naum Shundi.
“Çdo emër që ka kontribuar në llogaritë tona, duke bërë që kjo ëndërr e keqe të mbetet vetëm një ëndërr, ka jo vetëm mirënjohjen tonë të thellë, por mbi të gjitha na ka dhënë lehtësi dhe kurajo për të përballuar këtë betejë me jetën. Miq, dashamirës, kolegë dhe artëdashës, ju lutem mos vazhdoni më me kontributet në këto faqe, pasi fatkeqësisht shëndeti i Shundit ka marrë një kthesë shumë të vështirë. Mirënjohje dhe shëndet në familjet tuaja,” shkroi ajo një ditë më parë.
