Pas tre ditë ndërprerje të transmetimit së kanalit televiziv News 24, gazetarët kanë dalë në protestë para godinës së kësaj media.
Protesta e mbajtur në orën 12:00, është thirrur nga Asocioni i Gazetarëve, të cilët kërkojnë që të mos pengohet puna e punonjësve së kësaj media.
“Demokracia vdes në errësirë”, ishte slogani i kësaj proteste solidarizuese i asocionit së gazetarëve me punonjësit e “Focus Media News”. Asocioni e ka cilësuar aktin e ndërprerjes së veprimit të këtij grupi mediatik si shkelje flagrante e parimeve themelore të demokracisë e të lirisë së shprehjes.
Të pranishmit, mbajtën dhe disa fjalime. Drejtoresha e televizionit, Anila Jole, u shpreh se çështja konfliktuale për pronën nuk duhet të sjellë mbylljen e një mediaje.
“Të shtunen në mengjes, pa paralajmërim, u ndërpre sinjali ynë dhe u bllokua hyrja e gazetarëve në vendin e tyre të punës. Na u tha se ishte një çështje kontrate qiraje, por të gjithë e dimë se marrëdhëniet kontraktuale nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si pretekst për të mbyllur një zë të lirë informimi. Konfliktet civile zgjidhen në gjykata, jo duke fikur ekranin e një televizioni që i shërben publikut”, tha ajo.
Kujtojmë se më 9 gusht 2025, godina e “Focus Media News” u rrethua në mëngjes nga forcat policore, duke kërkuar lirimin e saj, si dhe u ndërpre sinjali i televizionit. Në këtë godinë ndodhen edhe redaksitë e Balkan Web, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Ky aksion policor vjen për shkak se kontrata e grupit mediatik për godinën, ka përfunduar që prej vitit 2022, e që atëhere çështja ka kaluar nëpër shkallët e gjyqësorit.
Avokatura e Shtetit, përmes një reagimi zyrtar, u shpreh se ka një vendim gjykate lidhur me rastin, në të cilën thuhet se grupi mediatik duhet të lirojë ambientin menjëherë.
