Pas përplasjes që patën me Policinë e Shteti duket se muxhahedinët do të largohen nga Shqipëria.
Lajmi është dhënë nga një media e huaj e cila ka shpërndarë gjithashtu edhe detaje të tjera mbi largimin e tyre.
Mësohet se udhëheqësit e Organizatës terroriste Mujahedin-e-Khalq (MEK) po bëjnë marrëveshje për të zhvendosur anëtarët e tyre nga Shqipëria në Kanada.
Drejtuesit e grupit të MEK thuhet se kanë vendosur të zhvendosin bazën e tyre në Kanada pas presioneve të forta të qeverisë shqiptare dhe pas dështimit të negociatave të tyre me qeverinë e Parisit për zhvendosjen në Francë.
Një burim i informuar sigurie tha për“Tasnim” se anëtarët e MEK kanë finalizuar planin e zhvendosjes pasi qeveria e Shqipërisë dhe gjykata e vendit, vendosën kufizime ndaj grupit, ndaj edhe krerët e organizatës po bëjnë përgatitje për tërheqjen graduale të anëtarëve të tyre nga Shqipëria. Po i njëjti burim vuri në dukje se anëtarët e MEK nuk kanë arritur të marrin pëlqimin e Francës për zhvendosjen e tyre në një kamp në Auvers-sur-Oise ose në periferi të Parisit.
Javën e kaluar, qeveria e Shqipërisë e ndaloi hyrjen në vend Maryam Rajavi, kryetare e MEK. Rajavi u largua nga Shqipëria në Francë në fund të qershorit, pasi forcat e policisë shqiptare bastisën kampin e Mazësit, ku sekuestruan 150 pajisje kompjuterike, që dyshohet se janë të lidhura me aktivitete terroriste.