Mot i keq përfshin Greqinë, dy viktima nga reshjet e dendura dhe stuhitë e forta

Moti i keq që përfshiu Greqinë pasditen dhe mbrëmjen e së mërkurës u shoqërua me reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta, duke shkaktuar përmbytje të shumta dhe situata të rrezikshme, kryesisht në rajonin e Atikës. Sasia e madhe e ujit brenda një kohe të shkurtër ktheu rrugët në lumenj, ndërsa autoritetet u vunë në gatishmëri për përballimin e pasojave.

Bilanci i motit ekstrem ishte tragjik, me dy persona që humbën jetën. Në Ano Glyfada, një grua 56-vjeçare u rrëmbye nga rrjedha e fuqishme e ujit teksa po kalonte rrugën për t’u kthyer në shtëpi pas punës. Ajo u bllokua nën një automjet të zhvendosur nga përmbytjet dhe, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, u nxor pa shenja jete.

Një tjetër ngjarje e rëndë u regjistrua në Astros Kynourias, ku një 53-vjeçar, efektiv i Rojës Bregdetare, humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës, pasi u godit në kokë nga një valë e fortë teksa ndodhej në patrullim në port.

Sipas të dhënave meteorologjike, zonat që u goditën më fort nga reshjet ishin Papagu, Halandri, Vyronas, Drosia, Ilioupoli dhe Marusi, duke e bërë Atikën rajonin me sasinë më të madhe të shiut në të gjithë vendin.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.