Mjeku tregon simptomat e gripit të syrit: Kujdes, është ngjitës!

Gripi i syrit është virusi që po qarkullon në vendin tonë. Grupmosha më e prekur janë fëmijët, por nuk bëjnë përjashtim as moshat e rritur.

“Në përgjithësi ka skuqje të syve, nuk ka shumë sklepa kur zgjohet pacienti në mëngjes, kjo shoqërohet me djegie të syve edhe ka raste të rralla që mund të ketë ulje të shikimit. Në kohën që pacienti i ka këto lloj simptomash shoqërohet edhe me dhimbje të fytit, ka edhe lodhje të muskujve atëherë këtu kemi të bëjmë me një konjuktivit viral ose gripin e syrit që shfaqet në këtë stinë”, tha mjeku okulist Sabri Raza.

Virusi mund të zgjasë nga 10 deri në 14 ditë. Higjiena mbetet parësore për kujdesin që duhet treguar për të shmangur këtë infeksion, pasi është ngjitës.

“Në ambientet të mbyllura patjetër duhet të ajroset, në ambientet ku pihet duhan për shembull, ku ka ajër të kondicionuar patjetër duhet të ajroset minimum gjysmë ore deri në një orë në ditë. Pacienti në shtëpi duhet të ketë peshqirin e vet, është mirë që të përdorë edhe peceta të veçanta. Kontaktin direkt me familjarët e vet duhet ta ndajë. Më e rëndësishme në këtë lloj infeksioni është parandalimi i ngjitjes sesa kurimi”, shpjegoi mjeku.

Mjeku okulist këshillon qytetarët që në momentin që kanë shqetësime të syrit dhe një situatë e tillë vazhdon më shumë se tre ditë duhet të konsultohen me specialistin.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.