Një padia kolektive kundër Booking.com është nisur nga më shumë se 10,000 hotele evropiane, të cilat akuzojnë platformën e njohur të rezervimeve online për praktika abuzive që kanë dëmtuar tregun për më shumë se 20 vjet.
Shoqata Evropiane e Hoteleve, Restoranteve dhe Kafeneve (Hotrec), që përfaqëson sektorin në BE dhe ka nisur këtë proces ligjor, ka shtyrë afatin për t’u bashkuar me padinë deri më 29 gusht për shkak të interesit të madh.
Padia mbështetet gjithashtu nga 30 shoqata kombëtare hotelerie, përfshirë edhe atë britanike, dhe pritet të jetë një nga më të mëdhatë në historinë e turizmit evropian.
Sipas Hotrec, Booking.com ka përdorur gjatë këtyre viteve klauzola të paligjshme “çmimi më i mirë” (best price), duke detyruar hotelet të mos ofrojnë çmime më të ulëta në platforma të tjera apo në faqet e tyre zyrtare. Kjo ka penguar konkurencën dhe ka dëmtuar financiarisht pronarët e hoteleve.
Klauzolën e “çmimit më të mirë” Booking.com e përdorte gjithashtu për të parandaluar që klientët të rezervonin drejtpërdrejt me hotelin, duke anashkaluar platformën dhe komisionet e saj, shkruan The Guardian.
Pas një vendimi të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë në 2024, që e gjeti këtë praktikë në shkelje të ligjit të konkurrencës në BE, hotelet kërkojnë tani dëmshpërblime për periudhën 2004-2024, para se Booking.com ta hiqte këtë klauzolë për t’u përshtatur me Aktin e Tregjeve Dixhitale të BE-së.
Booking.com mohon pretendimet dhe e quan këtë iniciativë të pasaktë dhe të padrejtë, duke argumentuar se praktikat e tyre kanë ndihmuar në konkurrencën e shëndetshme dhe kanë rritur fitimet për hotelet.
Megjithatë, shumë nga pronarët e hoteleve thonë se komisionet e larta dhe presioni i platformës kanë ngushtuar ndjeshëm fitimet e tyre, duke i bërë të vështira kushtet e punës dhe investimet.
Booking Holding, kompania mëmë e Booking.com, kontrollonte rreth 71% të tregut evropian të rezervimeve online në 2024, duke konsoliduar pozicionin e saj si aktori kryesor në sektor.
Ekspertët e ligjit të konkurrencës paralajmërojnë se procesi gjyqësor do të jetë i gjatë dhe kompleks, por theksojnë se padia përfaqëson revoltën e hoteleve kundër dominimit dhe praktika abuzive të platformave dixhitale.
