Miell, vezë e kaos në Kuvend. Mazhoranca voton ligjet mes zhurmës

Miks Albania

Miell vezë e para ishte arsenali i opozitës për në fushëbetejën e radhës gjatë seancës plenare të kësaj të enjteje.

Të parët që nisën aksionin ishin 23 rebelët demokratë të përjashtuar nga parlamenti, të cilëve u priu jashtë derës së sallës së kuvendit Flamur Noka.

Në pamundësi për të hyrë brenda, ajo që i mbeti ishte spërkatja me miell në shkallët e Kuvendit, simbolikë e narkoshtetit.

Por misionin e quajti të përmbushur vetëm pasi e hodhi atë në drejtim të Gardës, duke mos kursyer edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit.

E teksa jashtë mielli ishte arma e rebelëve, Dashnor Sula u kujdes në sallë të hidhte në drejtim të kryetares së kuvendit dhe socialistëve para të printuar, një tjetër simbolike kjo, teksa mazhoranca kishte futur në rend të ditës projektligjin për lojërat e fatit.

Nën zhurmën e bilbilave e kaosit në sallë flakën ia vunë edhe rregullores së parlamentit.

Ajo që më së shumti e ndezi zemëratën e demokratëve ishte prania e Lulzim Bashës dhe mbështetësve të tij në sallë, ndaj të cilit Edi Paloka si kurseu ofendimet, teksa e cilësoi peng të Edi Ramës, duke i paralajmëruar të dy se Kuvendi nuk do ketë qetësi pa u plotësuar kërkesat e opozitës.

“Ky që mendon sot se është i fortë se ka arrestuar Sali Berishën dhe ka përjashtuar opozitën, ka marrë ca kukulla aty që i jep urdhër Taulant Balla edhe se kur të vijnë në parlament ta kenë të qartë që kur t’i vijë dita edhe ai era shurrë do të mbajë. Dhe ju që i shkoni pas mendoni dhe ju fundin e tij dhe tuajin. Por uroj që para se t’i vijë fundi atij t’ju ketë marrë me radhë të gjithë juve siç ka bërë me ata nga pas më afër”, tha Paloka.

Por pavarësisht tensioneve në sallë, Lindita Nikolla kaloi në votim projektligjet, duke hequr nga rendi i ditës projektligjin për bastet e dukë rrëzuar edhe amendimet e Lulzim Bashës.

Ky i fundit menjëherë pas votimit la sallën, por nuk i shpëtoi fyerjeve  të demokratëve.

“Tradhtar, mercenar. Je i pabesë”, tha Noka.

Jashtë seancës plenare Gazment Bardhi zbuloi edhe arsyen që sipas tij e kishte bërë Lulzim Bashën të zbriste këtë të enjte në seancë plenare.

“Grupi parlamentar i PS-së kishte shpërndarë një mesazh që deputetët e mazhorancës duhet të paraqiteshin në seancë plenare në orën 09:00. Ndjej keqardhje që disa deputetë me mandat opozitar i janë përgjigjur këtij urdhri të grupit parlamentar të PS-së”, tha Bardhi.

Mazhorancën e paralajmëroi sërish se parlamenti nuk do ketë normalitet pa përmbushur kushtet e opozitës, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ngujimit në grevë urie.

“Secili prej anëtarëve të grupit ka shprehur gatishmërinë për të shkuar në akte përshkallëzimi përfshirë ngujimin apo grevën e urisë”, tha Bardhi.

Por përfundimi i seancës plenare nuk shënoi fundin e misionit të demokratëve. Flamur Noka kësaj radhe i zuri përfaqësuesve të mazhorancës jo me miell, por vezë, duke goditur njëri pas tjetrit makinën e Ministrit Balla dhe Sekretarit të Kuvendit.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.