Një banesë dy katëshe është përfshirë nga flakët pas mesnate në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër.
Policia njofton se rreth orës 00:55, ka rënë zjarr në një banesë dykatëshe në pronësi të shtetasit L .T., 51 vjeç.
Si pasojë janë përfshirë nga zjarri edhe tri banesa të tjera ngjitur me të, në pronësi të shtetasve T. K., L. K. dhe një banesë e pabanuar.
Zjarrfikësit, së bashku me Policinë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë evakuuar banorët dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.
Nga zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e shkakut të rënies së zjarrit.