Megaoperacioni “Tempulli”/ Në pranga një 19-vjeçar i shpallur në kërkim, 91 të arrestuar

Një 19-vjeçar i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit të koduar “Tempulli”, është vënë në pranga nga policia.

Ka shkuar kështu në 91 numri i shtetasve të ndaluar.

Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.

Efektivët e policisë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se drejt Shqipërisë do të udhëtonte një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, kanë koordinuar veprimet me shërbimet e Komisariatit të Policisë Rinas, të cilët kanë intensifikuar kontrollet për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat, është kapur dhe ndaluar shtetasi L. N., 19 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.