“Mega-grabitja” e Rozeta Dobit/ Shpërblehen policët që zbardhën ngjarjen

Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit ka marrë një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, ish-shefe Kabineti në Ministrinë e Rindërtimit.

Për këtë arsye, efektivët e komisariatit nr.2 në Tiranë, të cilët zbuluan ngjarjen, kanë marrë një pagë shpërblim për këtë operacion që çoi në pranga pastruesen Rozeta Dobi bashkë me të birin, Havierin. 

Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga, teksa kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave.

 Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri. Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. Këto para janë pa pronar sot, pasi Alda Klosi mohon që të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohon se edhe këto para i ka marrë te Klosi. Për këtë shumë nuk ka asnjë denoncues në polici.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.