Media australiane: Shqipëria, ndër 12 destinacionet e mahnitshme

Miks Albania

Shqipëria si destinacion turistik ka arritur ta përçojë jehonën e saj deri në kontinentin e largët australian.

E përditshmja australiane “The Sydney Morning Herald” e ka renditur Shqipërinë si një nga 12 destinacionet më të mahnitshme që duhen marrë parasysh patjetër për pushime.

“The Sydney Morning Herald” e cilëson Shqipërinë një pikë të nxehtë pushimesh, me vijë bregdetare, kështjella mesjetare, si dhe rrënoja të lashta greke e romake.

Shqipëria sugjerohet në artikull si një destinacion popullor dhe me një stil jetese mesdhetare.

Kjo media paralajmëron lexuesit e saj se europiano-veriorët kanë filluar të pushtojnë Rivierën Shqiptare rreth Sarandës. Ndërsa Porto Palermo është gjithashtu një alternativë relaksuese për të shijuar vendpushimet në Mesdhe.

Veç rivierës shqiptare vëmendje të veçantë marrin alpet shqiptare që rekomandohet për peizazhin, por edhe qytetet me traditë si Korça dhe Gjirokastra. Shqipëria sipas medias australiane bën pjesë në grupin e destinacioneve që ofron aventurë, plot vende të panjohura si dhe çmime të volitshme.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.