“Më ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen”, Rama: Belinda Balluku nuk akuzohet për korrupsion

Mbledhja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ku pritet të vendoset edhe fati i Belinda Ballukut, nisi me kritika të forta ndaj sistemit të drejtësisë. Kryeministri Edi Rama e konsideroi pezullimin e një ministri si një ndërhyrje brutale në pushtetin ekzekutiv dhe kritikoi drejtpërdrejt prokurorët e SPAK, duke thënë se lëshojnë fletëthirrje “si bileta teatri”, në garë për mandatin e ardhshëm të institucionit.

Ai pohoi gjithashtu se Belinda Balluku i ka dorëzuar dorëheqjen tre herë, por ai e ka refuzuar kategorikisht. Kryeministri theksoi se akuza ndaj Ballukut nuk është për korrupsion, por për pabarazinë në tender.

RamaNuk do t’i shmangem sot këtu temës që lidhet me Belinda Ballukun, por nuk do të merrem me procesin që ka nisur në Parlament, se do pres raportin e Këshillit të Mandative para se të them edhe unë fjalën time shteruese për temën e imunitetit.

Por, dua të ndaj me ju këtu diçka që e kam thënë edhe pa praninë e publikut përmes mediave. Belinda Balluku më ka dorëzuar dorëheqjen 3 herë. Që kur ju ngrit akuza në fillim. Ndërkohë që të gjitha tenxheret bëjnë llogaritë, akuza nuk është për korrupsion. Nuk ka akuzë për korrupsion, por për pabarazinë në tender.

Nuk ka akuzë për korrupsion, por për pabarazi në tendera. Pastaj ma ka sjellë përsëri dorëheqjen kur u bë pezullimi, pastaj edhe njëherë të tretë kur u ripezullua nga mosvendimi i Gjykatës Kushtetuese. Siç iu kam thënë, e kam hedhur unë poshtë kategorikisht idenë e dorëheqjes.

Nuk mund të hyjmë në vallen e dorëheqjeve automatike sa herë ngrihet një akuzë. Duhet të bëjmë secili punën tonë. Ne tonën, drejtësia të vetën. E di unë shumë mirë edhe teorinë dhe praktikën europiane të dorëheqjes morale, që nuk praktikohet edhe në Europë gjithmonë njësoj.

Është kollaj të thuash, në Gjermani një ministër i akuzuar jep dorëheqjen, por kjo nuk ndodh në Itali, madje në Francë ministri i drejtësisë qëndroi në zyrë me një akuzë shumë të rëndë dhe mori edhe pafajësinë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.