Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për dosjen e njohur si “CEZ-DIA”, ku përfshihet gjithashtu edhe hetimi për lobimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në atë kohë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe pasurinë e ish-çiftit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Ish-bashkëshortët e divorcuar së fundmi, janë nën hetim për korrupsion, pastrim parash, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.
Burime pranë SPAK bëjnë me dije se Monika Kryemadhi pritet në mesditë që të njihet me akuzat zyrtare, ndërsa për Ilir Metën, komunikimi i akuzave pritet të ndodhë rreth orës 14:00.
Akuzat do t’u komunikohen edhe disa personave të tjerë të përfshirë në dosje, përfshirë Ema Çokun dhe Pirro Xhixhon.
Në ditët në vijim, SPAK pritet të dorëzojë dosjen në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila do të vendosë në seancën paraprake nëse çështja do të kalojë për gjykim apo jo.
Monika Kryemadhi ndodhet në masën detyrim paraqitjeje, ndërsa Meta në arrest me burg, i arrestuar më 21 tetor të 2024.