Mbledhja e dy qeverive në Romë, Shqipëria dhe Italia do të nënshkruajnë disa marrëveshje bashkëpunimi

Mbledhja e parë mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane do të zhvillohet ditën e enjte.

Kryeministri Edi Rama së bashku me 10 ministra udhëtojnë këtë të mërkurë në Romë, ku një ditë më pas do të zhvillohet takimi e ku do të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi.

Kjo vizitë e nivelit të lartë, nis rreth orës 11:40 me një takim mes kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama dhe homologes së tij Georgia Meloni.

Më pas në orën 12:30 do të zhvillohet mbledhja e përbashkët e dy qeverive për t’u pasuar me nënshkrimin e marrëveshjeve në orën 14:00, në fusha si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor.

Në sektorin e mbrojtjes, Italia do të ofrojë pajisje dhe teknologji, dhe infrastruktura detare do të vendoset në Shqipëri për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e anijeve.

Nga ana tjetër në sektorin e energjisë, po punohet për zgjerimin e bashkëpunimit bazuar në marrëveshjen trepalëshe midis Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë të nënshkruar në Abu Dhabi më 15 janar 2025, e cila parashikon prodhimin e energjisë së rinovueshme në Shqipëri dhe një ndërlidhje nëndetëse për energjinë e rinovueshme që lidh dy vendet fqinj.

Pritet gjithashtu që të krijohet një grup i përbashkët pune për të thelluar bashkëpunimin në luftën kundër emigracionit të parregullt dhe për të forcuar aftësitë e patrullimit detar të Shqipërisë.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.