Martesa që zgjati vetëm një orë, dhëndri braktis nusen për kushërirën e saj menjëherë pas dasmës

Ajo që duhej të ishte dita më e lumtur në jetën e Kylie-t, u kthye në traumën më të madhe për të. Pas gjashtë vitesh lidhje dhe muajsh përgatitjesh për një dasmë ëndrrash, martesa e saj zgjati vetëm… një orë.

Historia tronditëse u zbulua nga vetë Kylie gjatë një interviste në një emision radiofonik australian, ku ajo rrëfeu sesi u la nga bashkëshorti i saj menjëherë pas ceremonisë martesore.

“U martuam dhe gjithçka dukej perfekte – ceremonia, fotot, momentet. Ai ishte dashuria e jetës sime. Por pas shkrepjes së fundit fotografike, thjesht u zhduk,” tregoi ajo.

Ndërsa të ftuarit vazhduan të festonin pa e kuptuar çfarë kishte ndodhur, Kylie u përpoq të mbante atmosferën e dasmës të gjallë, pavarësisht se në fund të mbrëmjes u kthye e vetme në dhomën e saj.

“Ai nuk donte të ishte me mua. Kishte qenë në një lidhje paralele me dikë tjetër gjatë gjithë kohës dhe gjithsesi vendosi të martohej me mua,” rrëfeu ajo.

Më vonë, Kylie mori një tjetër goditje: zbuloi se “gruaja tjetër” ishte kushërira e saj. Dhimbja e tradhtisë u bë edhe më e rëndë, duke ndikuar edhe në marrëdhëniet e saj familjare.

“Ai tani është me kushërirën time. Më tradhtonte me të. Nuk flas më me asnjërin prej tyre,” u shpreh ajo.

Pavarësisht gjithçkaje, Kylie tregon se ka gjetur forcë për të ecur përpara, duke shtuar me humor se familja e saj e ka mbështetur dhe nuk e ka lënë të përballet vetëm me këtë përvojë.

E pyetur nëse do të martohej sërish, përgjigjja e saj ishte e prerë: “Jo.”

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.