Lufta në Izrael, Franca prezanton draft rezolutën e re për armëpushim të menjëhershëm në Gaza

Miks Albania

Franca njoftoi të enjten, 21 mars, se aktualisht po punon për një projekt-rezolutë të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Rripin e Gazës, pasi Shtetet e Bashkuara raportuan për herë të parë një plan të ngjashëm.

“Ne besojmë se është koha për të ndërmarrë nisma të reja në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për një konflikt që vazhdon”, nënvizoi Christophe Lemoine, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme franceze, duke kujtuar situatën shkatërruese humanitare.

Pas më shumë se pesë muajsh konflikt, komuniteti ndërkombëtar po rrit përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim përballë katastrofës humanitare në Gaza, ku rreth 32,000 njerëz janë vrarë, sipas Hamasit.

“Franca, në këtë kontekst, merr përgjegjësitë e saj dhe aktualisht po punon për një projektvendim”, shtoi ai, duke sqaruar se kreu i diplomacisë franceze, Stéphane Cezournet, diskutoi të mërkurën me homologët e tij nga Algjeria, Egjipti, Jordania dhe Palestina për të eksploruar mënyra për një rezolutë që kërkon kryesisht një armëpushim të menjëhershëm.

Zyrtari nuk ishte në gjendje të specifikonte se kur mund të paraqitej ky draft, por, sipas mendimit të tij, ai “mund të marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit” ndryshe nga projekt-rezolutat e paraqitura më parë nga Franca.

Stéphane Cezournet ka takuar të hënën edhe përfaqësuesit e anëtarëve evropianë të Këshillit të Sigurimit, përkatësisht Sllovenisë dhe Maltës, tha Christophe Lemoine.

I pyetur në lidhje me koordinimin me Shtetet e Bashkuara , të cilat njoftuan të mërkurën mbrëma se kishin paraqitur një projekt-rezolutë përpara Këshillit të Sigurimit që kërkon gjithashtu një “armëpushim të menjëhershëm” dhe lirimin e pengjeve, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme franceze tha se disa rezoluta mund të ishin depozituar.

Më tej, ai hodhi poshtë çdo mungesë koordinimi mes dy vendeve.

“Natyrisht, ne kemi qenë duke u koordinuar me Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i krizës,” tha ai, duke shtuar se Uashingtoni është një “partner i rëndësishëm”.

“Ka një dialog me SHBA dhe ka pasur që nga fillimi i krizës,” tha ai.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.