“Linjë direkte ajrore Talin-Tiranë”, Presidenti Begaj vizitë në Estoni

Miks Albania

Presidenti Bajram Begaj ndodhet sot në Estoni në vijim të vizitave shtetërore që ka ndërmarrë në Republikat Baltike.

Ai u prit me një ceremoni shtetërore në pallatin presidencial Kadriorg në Talin nga homologu estonez, Alar Karis, me të cilin zhvilloi takimin kokë më kokë dhe më pas atë me praninë e delegacioneve përkatëse.

Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, finalizimi i procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjerimi i Unionit në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi për sigurinë kibernetike, Ukraina dhe reagimi kundër agresionit rus, ishin në fokus të bisedës në takimin kokë më kokë mes Presidentëve të dy shteteve.

Presidenti Bajram Begaj, shprehu besimin se kjo vizitë do të rrisë bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, si: turizmi, energjetika, siguria kibernetike, shërbimet elektronike dhe në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.

Kreu i Shtetit e konsideroi lajm të mirë vendosjen e linjës së re të përhershme Air Baltik midis Talin dhe Tiranës.

“Linja direkte shkurton distancën, rrit shkëmbimet ekonomike, turizmin dhe afron më shumë dy popujt”,vlerësoi Presidenti Begaj.

Veç mundësive për rritjen e turizmit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, theksoi faktin se mes dy shteteve ka ende hapësira për rritjen e investimeve estoneze në Shqipëri, si në energji, bujqësi, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe në atë kibernetike.

Në takim u vlerësua ndihma estoneze ndaj Shqipërisë përballë pasojave nga sulmi kibernetik i vitit 2022 dhe, në këtë aspekt, Presidenti Begaj theksoi se ky bashkëpunim mund të thellohet përmes akademisë estoneze për trajtimin dhe kualifikimin e të rinjve shqiptarë në fushën kibernetike.

Si dy vende në NATO, Shqipëria dhe Estonia janë të përkushtuara të avancojnë axhendën e bashkëpunimit për mbrojtjen kombëtare dhe hapësirën e përbashkët kibernetike.

Për sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Presidenti Begaj i shprehu Presidentit Alar Karis mirënjohje për mbështetjen, ndërsa kërkoi që Estonia të jetë më prezente në Shqipëri me ekspertizën e saj për integrimin, si një shtet në pararojë në Bashkimin Evropian për reformën administrative.

“Shqipëria është pjesë e Evropës, theksoi Presidenti Begaj, duke nënvizuar reformat në të mirë të qytetarëve, të cilat do të mundësojnë finalizimin sa më shpejt të anëtarësimit në Union”, u shpreh Presidenti Begaj.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.