Lejoi kalimin jashtë shtetit të një të shpalluri në kërkim, ndalohet polici 23-vjeçar në Portin e Durrësit

Miks Albania

Karriera në polici mund të jetë e shkurtër për një 23-vjeçar në Durrës.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi këtë të shtunë se ka vënë në pranga Gledis Lushin, i cili punon si ndihmës kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit.

I riu dyshohet se rreth një javë më parë ka lejuar daljen jashtë shtetit të një personi që është shpallur në kërkim për disa vepra penale.

“Në datë 22.09.2023, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka kryer ndalimin e oficerit të policisë Inspektor Gledis Lushi, 23 vjeç, me detyrë Nd.kontrollor në Stacionin e Policisë në Portin e Durrësit. Ndalimi i tij u krye pasi dyshohet se në datë 17.09.2023 ka lejuar daljen jashtë shtetit nga PKK të një shtetasi të shpallur në kërkim për disa vepra penale”, njoftoi AMP.

Gazetari Besar Bajraktaraj ka mësuar se personi i shpallur në kërkim ishte Elidon Çela ishte kapur me 522 mijë Euro të padeklaruara në Dhjetor 2022.

Pas arrestimit, për të gjykatat e kishin lënë me masë më të butë, por në 14 shtator Gjykata e Lartë riktheu atë në arrest në burg dhe u shpall në kërkim.

Ai rezulton të ketë kaluar në Portin e Durrësit më 17 Shtator dhe është lejuar nga polici Gledis Lushi të kalojë në mënyrë të kundraligjshme.

Megjithatë, Çela ka rënë në prangat e policisë këto ditë pasi është riktheyr sërish në Shqipëri, po përmes Durrësit.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.