Arti i të kënduarit, të luajturit dhe bërjes së lahutës është tashmë pjesë e trashëgimisë botërore jomateriale të UNESCO-s, në listën e elementeve që kërkojnë mbrojtje të menjëhershme. Ky art i lashtë, i trashëguar brez pas brezi në trevat veriore shqiptare – nga Malësia e Madhe e deri në Rugovë, Plavë e Guci – është një shtyllë e identitetit tonë kulturor, ku në duart e lahutarit marrin jetë virtytet e trimërisë, nderit, besës dhe mikpritjes përmes Eposit të Kreshnikëve dhe baladave të vjetra.
Kjo arritje u bë e mundur falë punës së përkushtuar të studiuesve Vaso Tole, Shaban Sinani, Rigers Halili, Armanda Hysa dhe Susane Ogge, të cilët me kërkimet në terren dhe bashkëpunimin me komunitetet përgatitën një dosje të shkëlqyer, të dorëzuar në UNESCO në mars 2024. Procesi u mbështet nga Ministria e Kulturës në partneritet me AADF.
