Kurti: Kosova, shembull i mirë i demokracisë në rajon

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka uruar qytetarët në 15-vjetorin e Pavarësisë, duke thënë se shteti i Kosovës është shembull i mirë i demokracisë “në këtë rajon problematik siç është Ballkani”.

Kurti ka bërë këto deklarata në një mbledhje festive të Qeverisë për 15-vjetorin e Pavarësisë  së Kosovës.

“Detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar dhe shumëfishuar arsyet që të rejat dhe të rinjtë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë, dhe për një jetë më të mirë”, ka thënë Kurti.

Më tej ai ka thënë: Nëse në vendet tjera institucionet japin model dhe qytetarët përpiqen ta ndjekin atë model, te Kosova jonë modelin e japin qytetarët dhe ne institucionet jemi ato që duhet të bëjmë përpjekje për të ecur pas tyre.

Kurti ka përmendur edhe dy përgjegjësi, që sipas tij, duhet t’i ketë parasysh secili qytetar i Kosovës, trashëgiminë dhe krijimin e një vendi më të mirë për brezat e rij.

“Sot në këtë 15-vjetor të pavarësisë është vendi që të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë, dhe është fjala për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë, minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet me formula eksperimentuese, të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”-tha Kurti.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.