Kosova dhe Serbia u përplasën gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku u diskutua për raportin për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres.
Serbia mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Kryeministrja Ana Bërnabiç tha se ngjarjet ishin rezultat i “terrorit” ndaj serbëve.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Bërnabiç tha se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”.
Bërnabiç, tha se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kusht për zbatimin e marrëveshjeve të tjera nga Serbia.
“Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”, tha ajo.
Kosova, sipas kryeministres serbe, Ana Bërnabiç, ka tri mesazhe për serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Mesazhi i parë, sipas saj është që serbët që janë larguar nga Kosova pas luftës më 1999 “nuk janë të mirëpritur” që të kthehen. Mesazhi i dytë, serbët që jetojnë në Kosovë “duhet të largohen” dhe mesazhi i tretë, “marrëveshjet e arritura nuk do të zbatohen”.
Sipas Bërnabiç, që kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës.
Ajo akuzoi Kosovën për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike.
Ndërsa presidentja e Kosovës Vjosa Osmani akuzoi Serbinë dhe tha se ata duan territor të Kosovës “por, nuk do ta marrin kurrë”.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se me 24 shtator Kosova “ishte shënjestër e një akti të agresionit të kryer nga Serbia nëpërmjet grupeve terroriste dhe paraushtarake të saj”. Ajo tha se Serbia priste të “të kishte sukses në aneksimin e saj të planifikuar të veriut të Kosovës sipas stilit të Krimesë”.
Presidentja Osmani tha se sërish Serbia provoi të minimizojë “shkallën e këtij kërcënimi të pashembullt të sigurisë dhe aktit të agresionit. Ata gjithashtu duan të shtrembërojnë të gjithë të vërtetën që u shpalos para syve të botës”.
“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, tha Osmani.