Koreja e Veriut lëshon raketën ndërkontinentale,me rreze për të goditur territorin e SHBA

Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë balistike ndërkontinentale me rreze të mjaftueshme për të goditur territorin e SHBA-së, tha ministri japone i mbrojtjes.

Raketa ra në det afërsisht 210 km (130 milje) në perëndim të Hokkaido.

SHBA e ka dënuar lëshimin  e raketës, ndërsa Koreja e Jugut ka urdhëruar masa më të forta parandaluese kundër Veriut.

Të enjten, Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Choe Son Hui, paralajmëroi për një përgjigje “më të ashpër” ndaj çdo pranie të shtuar ushtarake amerikane në rajon.

Koreja e Veriut lëshoi ​​gjithashtu një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi në të njëjtën ditë.

Këto veprime erdhën pas takimit të së dielës midis presidentit të Koresë së Jugut Yoon Suk-yeol, Presidentit të SHBA Joe Biden dhe kryeministrit të Japonisë Fumio Kishida në Kamboxhia, në të cilin të tre vendet ranë dakord të rrisin bashkëpunimin e tyre ushtarak.

Të premten, zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Adrienne Ëatson tha se zoti Biden ishte informuar dhe SHBA do të konsultohej me partnerët.

Koreja e Veriut ka lëshuar më shumë se 50 raketa gjatë dy muajve të fundit, shumica e tyre me rreze të shkurtër. Këto lëshime me rreze të gjatë janë më të rralla dhe përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për SHBA-në, pasi raketat janë projektuar për të transportuar koka bërthamore kudo në SHBA.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.