Konflikti në Kamëz mes 5 adoleshentëve, arrestohen 2 të miturit që goditën me thikë 16-vjeçarët

Policia e Tiranës ka zbardhur  rrethanat e konfliktit për motive të dobëta, të ndodhur dje, në bulevardin “Nënë Tereza”, Kamzë, ndërmjet pesë 16-vjeçarëve.

Dy të miturit që goditën me thikë dhe grushte 3 të miturit e tjerë janë arrestuar.

“Në vijim të hetimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për sqarimin e rrethanave të konfliktit të datës 02.10.2025, në bulevardin “Nënë Tereza”, në të cilin u përfshinë 5 shtetas të mitur, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, në praninë e prindërve, psikologut dhe mbrojtësve ligjorë, kryen veprimet procedurale për arrestimin në flagrancë të dy 16-vjeçarëve.

Të miturit e arrestuar dyshohet se kanë dëmtuar me mjet prerës (thikë) dhe me grushte, 3 të miturit me të cilët janë konfliktuar për motive të dobëta”, njofton policia.

Njëri prej të dëmtuarve është aktualisht në kujdesin e mjekëve, ndërsa 16-vjeçari tjetër, jashtë rrezikut për jetën. I dëmtuari i 3-të, është larguar në banesë, me dëmtime të lehta.

Policia po punon për gjetjen e thikës së përdorur nga të miturit.

Copyright © 2026 Miks News. All rights reserved.