Mediat e huaja raportojnë se, patrullat luftarake dhe stërvitjet, të cilat erdhën vetëm disa ditë pas takimit historik të Presidentit Tajvanez Tsai Ing-wen me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin McCarthy në Kaliforni, ishin në vazhdim.
“Nën komandën e unifikuar të qendrës së komandës së operacioneve të përbashkëta teatrore, lloje të shumta njësish kryen sulme të përbashkëta precize të simuluara mbi objektivat kyçe në ishullin e Tajvanit dhe zonat detare përreth dhe vazhdojnë të mbajnë një pozicion sulmues rreth ishullit”, thuhet në raport.
Ushtria amerikane dërgon rregullisht aeroplanë dhe anije spiunazhi në zonën afër Tajvanit. Shtetet e Bashkuara ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Taipein në favor të Pekinit në 1979, por janë të detyruara me ligj t’i ofrojnë ishullit mjetet për t’u mbrojtur. Kina, e cila kurrë nuk ka hequr dorë nga përdorimi i forcës për ta vënë ishullin nën kontrollin e saj, thotë se Tajvani është çështja më e rëndësishme dhe më e ndjeshme në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe tema është një burim i shpeshtë i tensioneve kino-amerikane. Pekini e konsideron Tsai një separatiste dhe ka kundërshtuar thirrjet e saj të përsëritura për bisedime. Tsai thotë se vetëm njerëzit e Tajvanit mund të vendosin për të ardhmen e tyre.