Kërkoi zbutje të masës së sigurisë, Apeli lë në burg Vangjush Dakon

Apeli ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dakon.

Ai do vijojë të qëndrojë në burg, ku akuzohet për shpërdorim detyre në dy raste. Kërkesa e tij për zbutje të masës u shqyrtua nga gjyqtarja e apelit Daniela Shirka, e cila refuzoi kërkesën e tij për liri.

Dako nuk ishte i pranishëm gjatë seancës, por është përfaqësuar nga avokatët e tij.

Kujtojmë se ish-kreu i Bashkisë së Durrësit u arrestua me urdhër të SPAK me akuzat se në bashkëpunim me ish-zyrtarë të tjerë “kanë legalizuar një objekt të ndërtuar para zbardhjes së lejes së ndërtimit, dhe jo sipas projektit të miratuar”.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Daniela Shirka, sot më 18.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 31 akti, datë 10.07.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimet e personave nën hetim V.D., F.E., M.S.(P.), F.H., F.F., A.B., ndaj vendimeve nr. 57, datë 06.06.2023 dhe nr. 61, datë 08.06.2023 (mbi caktimin e masave të sigurimit personal) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 57 akti, datë 06.06.2023 dhe vendimit nr. 61 akti, datë 08.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personin nën hetim V.D.”, thuhet në njoftimin e Apelit.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.