Nga viti 2030, shtetasve që hyjnë dhe dalin nga hapësira Shengen mund t’u duhet të paraqesin vetëm karta identiteti dhe pasaporta elektronike. Të dhënat që ruhen në mënyrë dixhitale në chip-at e dokumenteve aktualë të identifikimit mund të kalohen në kartat e identitetit dhe pasaportat e reja elektronike që pritet të ruhen dhe të përdoren përmes smartphone-ve.
Ideja u prezantua nga Komisioni Europian, përmes një projekti që synon të reduktojë radhët e gjata dhe kohën e kontrollit të pasaportave në pikat kufitare të vendeve të unionit. Kjo pritet t’u japë më tepër kohë kontrollorëve në pikat kufitare të hapësirës Shengen, në identifikimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore, shkelësve të kufijve me identitet të rremë, azilkërkuesve që nuk përfitojnë nga e drejta e azilit në vendet e Bashkimit Europian, etj.
Projekti, që pritet të nxisë edhe vende jo anëtare të përdorin dokumente identifikimi elektronike, ka megjithatë një rrugë të gjatë para se të vihet në zbatim. Duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare në Këshillin e Bashkimit Europian si dhe nga Europarlamenti. Nëse gjithçka ecën me ritmet e pritshme aplikimi i pjesshëm mund të nisë që Nëntorin e këtij viti.