Julian Deda është shprehur se është informuar nëpërmjet rrjeteve sociale se është kandidat për primaret në Bashkinë e Tiranës.
Në një postim në Facebook, ai shprehet se duhet t’i japim primareve rëndësinë që meritojnë dhe nga kjo garë të dalë fitues më i miri.
Deda është një nga kandidatët e propozuar nga anëtarët e PD-së për të marrë pjesë në garë.
“Ja, këtu e mora lajmin që jam kandidat në primaret e PD-së, për Tiranën, në mes të trafikut, të pluhurit dhe të zhurmave, që tani e tutje do t’i quajmë erionizim, qe i është bërë Tiranës në këto vite. Falënderoj nga zemra çdo demokrat, ne secilën degë të Tiranës, që ka propozuar emrin tim në këto primare tepër të rëndësishme. Tashmë në PD, jo vetëm lexohet çdo votë, por dëgjohet çdo propozim i anëtareve të saj. Le t’i japim primareve rëndësinë qe meritojnë, le të dalë prej kësaj risie vetëm më i miri, më i votuari. Suksese të gjithëve”, shkruan ai në rrjetet.
Kandidatët e Partisë Demokratike për primaret në Bashkinë Tiranë janë:
Adriana Kalaja
Belind Këlliçi
Enkelejda Fejzo
Fatmir Merkoci
Gerti Bogdani
Ilir Alimehmeti
Julian Deda
Deri më 13 nëntor, është koha që i jepet në dispozicion, Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, për të filtruar të gjithë kandidaturat.
3 dhjetori është koha e parashikuar në vendimin e Kryesisë së Partisë Demokratike, si koha e fushatës, ndërsa më 4 dhjetor, demokratët dhe simpatizantët e PD-së mund të votojnë për kandidatët.