Fortlumturia e tij, Joan Pelushi, është Kryepeshkopi i Ri i Kishës Autoqefale Shqiptare. Ai pason të ndjerin Kryepeshkopin Anastas Janullatos, ndërsa u zgjodh nga Sinodi i Shenjtë, i cili ka 7 anëtarë.
Përzgjedhja e tij u parapri nga Liturgjia Hyjnore, ndërsa kandidatët për Kryepeshkop ishin edhe Hirësia e tij Dhimitri, Mitropolit i Gjirokastrës, dhe Hirësia e tij Nikolla, përfaqësues i Mitropolitisë së Fierit.
Me votë të fshehtë, Sinodi i Shenjtë votoi për tre emrat e kandiduar nga Këshilli Kleriko-Laik, por në fund titullin më të lartë të Kishës Autoqefale e mori Imzot Joan Pelushi.
Menjëherë pas zgjedhjes, kambanat në të gjitha kishat ortodokse ranë njëkohësisht.
Kronologjikisht, fjala i takon Kryepeshkopit të Ri, i cili lexon Mesazhin e Shenjtë. Fronëzimi i tij do të kryhet më 29 mars në një ceremoni të madhe e të veçantë.
Ka qenë dëshira e fundit e Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili në testamentin e tij shprehu se do të kishte dashur që në krye të Kishës të zgjidhej një klerik shqiptar.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25 janar në Athinë, ndërsa prehet në Shqipëri në Katedralen Ortodokse. Ai e udhëhoqi Kishën për më shumë se tri dekada, ndërsa ishte gur themeli për rivendosjen e urave të besimit fetar, të ndaluar që nga 1967 me urdhër të diktatorit Enver Hoxha.