Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar të hënën se Izraeli është pajtuar t’i heqë vizat për shtetasit e Kosovës, që do t’ua mundësojë atyre udhëtimin lirshëm drejt vendit të Lindjes së Mesme për qëllime turistike.
Presidenca e Kosovës tha në një komunikatë se Osmani u njoftua për vendimin e Izraelit nga ambasadorja izraelite në Prishtinë, Tamar Ziv, gjatë një takimi të hënën. Ky vendim i Izraelit – i cili është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës para rreth tri vjetëve, do të hyjë në fuqi pas nënshkrimit të marrëveshjes.
“Në këtë drejtim, të dy ministritë përkatëse do të vazhdojnë me procedurat e nënshkrimit të marrëveshjes dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Përmes kësaj marrëveshje, qytetarëve të Kosovës do t’u mundësohet udhëtimi pa viza në Izrael për qëllime turistike”, thuhet në njoftim.
Në takim, sipas komunikatës, u diskutua edhe për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, si dhe për marrëveshjet ndërshtetërore në fusha të ndryshme të cilat pritet të nënshkruhen së shpejti.
Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.
Ndërsa më 5 janar u bë e qartë se ata do të mundë ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera. Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen./REL