Itali: Doli nga festa e maturës, i riu shqiptar përplaset për vdekje nga një makinë

Kevin Murataj, 19 vjeç, ka ndërruar jetë tragjikisht mbrëmjen e së premtes në Itali, pikërisht në festën e tij të maturës.

I riu shqiptar u përplas nga një makinë teksa po kalonte rrugën në Lignano Sabbiadoro rreth orës 23:30. Bashkë me shokët e klasës, ai po dilte nga piceria “Stadio” për të shkuar në diskotekën Charlie ku do të vazhdonin festimet. Pikërisht në këtë moment është përplasur nga një automjet i drejtuar nga një 21-vjeçar, që më pas u arrestua. Një autoambulancë e ka transferuar të riun në urgjencën e Lignano-s, ku u konstatua vdekja.

Kevin, i lindur në Foggia dhe banues në Latisana, ishte një student i Mattei në Latisana.

“Një djalë i thjeshtë, i sjellshëm, një punëtor i palodhur me shumë plane për të ardhmen”, këto janë fjalët që përdori për të kujtuar Kevinin pronari i picerisë ku i riu punonte gjatë fundjavave.

“Ai ishte gjithmonë I qeshur, i gatshëm për t’u argëtuar, por gjithmonë me kokën mbi supe. Dhe mbi të gjitha, kishte një dëshirë të madhe për të jetuar dhe për të bërë ëndrrat e tij realitet, ishte gjithmonë i gatshëm të bënte një shaka”, tha një mik për shtypin italian.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.