Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kavajë, ku një 28-vjeçar është arrestuar pasi mashtronte babain duke inskenuar rrëmbimin e tij për të përfituar para.
Policia bën me dije se i arrestuari, Lubjan Camema, kishte mashtruar babain e tij, shtetasin B.C., duke i thënë se ishte rrëmbyer dhe për lirimin e tij kërkohej një shumë parash.
Në pranga ka përfunduar edhe bashkëpunëtori i tij, 45-vjeçari Bernard Kiptiu, i kapur në flagrancë në lagjen nr.16 të Durrësit, teksa i kërkonte babait të Lubjanit shumën e parave, me pretendimin se ato do shërbenin për lirimin e të riut.
Rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, policia gjeti dhe arrestoi 28-vjeçarin, i cili rezultoi se kishte inskenuar të gjithë ngjarjen. Gjithashtu, dyshohet se dy ditë më parë ai kishte marrë pa lejen e babait automjetin e tij dhe e kishte shitur.
Materialet hetimore janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
