Ilir Meta reagon nga burgu për protestën, falenderon shqiptarët: U ngritën në këmbë me guxim

Miks Albania

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili u arrestua më 25 tetor, ka reaguar nga burgu 313 lidhur me protestën e mbajtur sot nga opozita.

Përmes një reagimi në Facebook, Meta falenderon qytetaët shqiptarë të cilët dolën në protestë.

Ilir Meta: Falenderim dhe mirënjohje të përzemërt për qindra mijëra shqiptarë patriotë në mbarë vendin që u ngritën në këmbë me guxim dhe me ndjenjë të fortë patriotike e kombëtare, në përballje pa kthim me Narkoshtetin për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë. Nuk ka forcë në botë të ndalë Uraganin e Lirisë!

Protesta e sotme e opozitës zgjati tre orë, ashtu siç ishte paralajmëruar dhe ishte e fokusuar në 6 akset kryesore të Shqipërisë, rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, ish-sheshi Shqiponja në Tiranë, rrethrrotullimi i Milotit, Levani në Fier,  Bishti i Zhurit në Rrogozhinë dhe mbikalimi i Kthesës së Kamzës.

Protesta e nisur në orën 17:00 u mbyll e qetë dhe pa probleme. Duhen evidentuar vetëm tre momente kur pati një përplasje mes qytetarëve dhe policisë.

Fillimisht në Shkozet protestuesit dogjën disa goma në rrugë por pa shkaktuar asnjë dëm, dhe një tjetër moment ishin përplasjet mes policisë dhe protestuesve në Elbasan dhe Tiranë. Në të gjithë pikat e bllokuara deputetët e opozitës të cilët ishin në krye të protestës dhanë mesazhe politike, duke theksuar se nuk do të tërhiqen nga rruga e tyre nëse kryeministri Edi Rama nuk pranon qeverinë teknike.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.