Një ngjarje e pabesueshme ka ndodhur në Orlando, kur një 35-vjeçare ndaloi në anë të autostradës për të ndihmuar një burrë që u përfshi në një aksident automobilistik. Megjithatë, burri i vodhi makinën e saj dhe pak minuta më vonë ai vdiq.
Pasditen e së martës 35-vjeçarja ishte duke lëvizur me makinë në autostradën 50 në Brooksville, pranë Orlandos. Në një moment ajo pa një makinë të përplasur. Ajo papritmas ndaloi makinën e saj për të parë nëse dikush kishte nevojë për ndihmë.
Më pas ajo ka parë shoferin 29-vjeçar të makinës së përplasur duke iu afruar për t’i vjedhur makinën duke e lënë të vetme në autostradë.
Burri u përpoq të largohej nga vendi i ngjarjes, por rreth 5 kilometra më vonë humbi kontrollin e makinës. Ai ka kaluar trafikndarësen, ka shkuar në drejtim të kundërt dhe është përplasur kokë më kokë me një kamion.
Burri nuk kishte vendosur rripin e sigurimit në momentin e përplasjes dhe pësoi lëndime fatale, thanë autoritetet. Drejtuesi 45-vjeçar i kamionit ka pësuar lëndime të lehta.