Është zbardhur ngjarja e rëndë e ndodhur disa ditë më parë në Elbasan, ku një 20-vjeçar u gjet i vdekur në rrugë.
Mësohet se i riu është aksidentuar nga një makinë, e cila pas përplasjes është larguar nga vendi i ngjarjes, duke e lënë viktimën aty, pa i dhënë ndihmën e parë. Policia ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit, i cili akuzohet veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Njoftimi i policisë:
Elbasan/Zbardhet aksidenti rrugor me pasojë vdekjen e një 20-vjeçari, i ndodhur më datë 23.01.2023, në unazën e qytetit.
Aksidentoi me pasojë vdekjen 20-vjeçarin dhe u largua nga vendi i aksidentit, pas hetimeve të thelluara dhe punës profesionale nga shërbimet e Policisë Rrugore, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe ndalimi i autorit.
Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, si rezultat i një pune intensive hetimore dhe profesionale, bënë të mundur zbardhjen e aksidentit rrugor, me pasojë vdekjen, të ndodhur më datë 23.01.2023.
Si rezultat, nga shërbimet e Policisë u bë identifikimi, lokalizimi dhe ndalimi i drejtuesit të automjetit, shtetasit A. D., 65 vjeç, banues Fier, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.