Lorenzo Çela ka ndërruar jetë ditën e djeshme në një spital në Breshia, Itali, ku ndodhej i shtruar që prej pasdites të së dielës.
I riu me origjinë shqiptare, u dërgua në spital në gjendje kritike për jetën pasi makina me të cilën udhëtonte së bashku me të dashurën dhe nënën e saj u përfshi në aksident.
Sakaq, prindërit e tij, Alket dhe Fabienne, kkanë vendosur që të dhurojnë organet e djalit të tyre.
Lajmi është bërë i ditur nga klubi italian Calcio Desenzano. Përmes një postimi në rrjetet sociale shkruajnë se ai ishte një mesfushor i talentuar dhe ngushëllojnë familjen e tij.
“Sot Calcio Desenzano po përjeton ditën më të trishtë që nga lindja e tij. I gjithë klubi, duke filluar nga presidenti Roberto Marai, mblidhet rreth familjes së Lorenzo Cela, mesfushorit të talentuar të Kombëtares së Juniorëve, i cili u nda nga jeta sot në mënyrë tragjike pas një aksidenti rrugor. Si një gjest i fundit i bujarisë së madhe, prindërit ranë dakord të dhuronin organet e djalit”,-shkruhet në postimin e klubit.