Një ngjarja sa e rëndë, sa dhe e pazakontë vjen mëngjesin e kësaj të premteje nga fshati Shënavlash i Durrësit. Një 50-vjeçar u gjet i vrarë dhe i varrosur në shtëpinë e tij, një krim për të cilin policia ka vënë në pranga të bijën. Viktima është Pëllumb Meta, ndërsa autore e dyshuar 19-vjeçarja Hygerta Meta. Motivi? Të paktën sipas asaj që ka deklaruar vetë e reja, insistimi i të atit për ta fejuar pa dëshirë.
E gjithë ngjarja në fjalë nisi 10 ditë më parë. Ishte djali 25-vjeçar i cili shkoi në policinë e Durrësit, për të kallëzuar largimin e të atit, pa e ditur që 50-vjeçari ndodhej i varrosur pikërisht brenda rrethimit të banesës së tij.
4 ditë pasi mori denoncimin, policia gjeti fillimisht makinën e 50-vjeçarit të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Në këtë pikë, nën dyshimet se Pëllumb Meta ishte zhdukur policia intensifikoi hetimet dhe arriti të siguronte prova që në fakt treguan se ai ishte vrarë.
19-vjeçarja e ekzekutoi të atin me armë zjarri. Sipas policisë, ajo e ka pranuar krimin e rëndë dhe ka deklaruar se përveç insistimit për ta fejuar, palët kishin edhe konflikte të tjera familjare. Policia thotë se vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore persona të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Ndërkohë, trupi i 50-vjeçarit është zhvarrosur nga shtëpia e tij dhe është transportuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.