Katër ushtarë izraelitë u vranë dhe 51 u plagosën, 7 prej tyre në gjendje të rëndë, gjatë sulmit me dron të nisur nga Hezbollah të dielën mbrëma kundër një baze ushtarake në Binyamina, Izraeli verior, sipas një deklarate nga Forcat e Armatosura izraelite (IDF).
Nga ana e tij, Hezbollahu mori përgjegjësinë për sulmin në bazën ushtarake, duke ia kushtuar sulmin kujtimit të ish-liderit të saj, Hassan Nasrallah, i cili u vra më 27 shtator nga një sulm izraelit në Bejrut.
Sipas IDF, të vdekurit janë ushtarë izraelitë. Familjet e tyre janë njoftuar dhe emrat e tyre do të bëhen të ditur më vonë. Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite kërkon që të mos përhapen thashetheme dhe emra të të plagosurve dhe të respektohen familjet.
Kanali 12 i Izraelit raportoi se Hezbollahu lëshoi tre drone kundër Izraelit. Dy u qëlluan nga Haifa, por i treti goditi Binyamina.
Hezbollahu kërcënon Izraelin me më shumë sulme nëse vazhdon sulmet në Liban
Hezbollahu e ka kërcënuar Izraelin me më shumë sulme nëse vazhdon sulmet në Liban.
Në një deklaratë, Hezbollahu deklaroi se “rezistenca i premton armikut” se sulmi “në jug të Haifës ishte vetëm një paralajmërim e asaj që e pret nëse Izreli vendos të vazhdojë sulmet e tij kundër popullit tonë”.
Sulmi në bazën ushtarake Binyamina ishte më vdekjeprurësi në Izrael që nga fillimi i operacioneve ushtarake izraelite në Liban më 23 shtator.
Droni sipas IDF është një “Mirsad 1” i prodhimit iranian. Hezbollahu ka qindra dronë të tillë në arsenalin e tij dhe Izraeli ka kapur tashmë dhjetëra në 15 ditët e fundit.
Mirsad 1-të arrijnë një shpejtësi afër 200 kilometra pak para goditjes dhe mbajnë koka luftarake me 20 kilogramë eksploziv. Hetimet e skuadrave speciale të ushtrisë izraelite për incidentin vazhdojnë, ndërsa baza është evakuuar përveç të plagosurve dhe personelit civil.