Hera e dytë brenda muajit, përfshihet nga flakët lokali i Noizy-t në Durrës

Lokali i reperit të njohur, Noizy, është përfshirë nga flakët për të dytën herë brenda këtij muaji. Nga informacionet paraprake mësohet se nuk ka të lënduar, por dëme materiale.

Edhe në këtë rast, dyshohet se zjarri i vënë në lokalin që ndodhet në zonën e Currilave, Durrës, është i qëllimshëm. Ndërkohë lokali rezulton në emër të babait të Noizy-t, shtetasit Bashkim Rajku.

Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta policie, zjarrfikëse si dhe një autoambulancë. Flakët përfshinë pjesën e verandës e burime nga policia e Durrësit thonë se janë në gjurmët e autorit të dyshuar.

Kujtojmë se edhe më 11 qershor u njoftua se një lokal në Durrës, në pronësi të babait të këngëtarit të njohur Noizy është përfshirë nga zjarri

Sipas burimeve, pista kryesore e hetimit ishte zjarrvënia e qëllimshme, por në një postim në “Instastory” biznesi njoftoi se shkaku ka qenë shkëndija elektrike.

U konstatuan dy-tre vatra zjarri që u shuan nga zjarrfikësit në orët e para të mëngjesit të datës 11 qershor që ishte e diel dhe pati vetëm dëme materiale në lokal

Policia njoftonte:

Në orët e para të mëngjesit të sotëm (11 qershor), në lagjen nr.1, ka rënë zjarr në lokalin në pronësi të shtetasit B.R. Si pasojë e zjarrit ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Copyright © 2025 Miks News. All rights reserved.