HEC-et në gatishmëri, Balluku inspekton situatën nga moti i keq : Nuk parashikohet hapja e portave
Vendi ynë është përfshirë me mot të keq, duke shkaktuar përmbytje dhe vështirësi në qarkullim në disa zona.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku monitoroi situatën e krijuar si pasojë e reshjeve intensive në HEC Koman ku tha se vijojnë të jenë të përgatitur për të përballuar situatën.
Balluku tha se nuk parashikohet hapja e portave dhe se janë kapacitetet dhe volume për të përballuar shirat intensive.
“Ne jemi të përgatitur. Çfarë është e rëndësishme dhe çfarë duhet t’u themi të gjithë njerëzve, nuk parashikohet hapja e portave sepse ky është problemi kryesor dhe shpeshherë abuzohet edhe me lajmin. Flitet për hapjen e portave. Ne po e bëjmë me dije që i kemi kapacitetet dhe volumet pasi kemi punuar nga data 11 nëntor për të liruar volume. Kemi rreth 4.5 metra mundësi për të akumuluar në liqenin e Vaut të Dejës dhe rreth 7 metra në liqenin e Komanit. Ndërkohë që të pesë agregatet e Vaut të Dejës janë në funksion dhe katër agregatet e Komanit janë në funksion. Fierza qëndron e mbyllur për të akumuluar sa më shumë dhe për të rritur nivelin e liqenit”, tha ministrja.
Ajo theksoi se në Koman dhe në Vaun e Dejës vijon puna me kapacitetet të plota.
Ministrja Balluku bëri me dije se të premten pritet të ketë një tjetër agravim të motit.
“ Vazhdojmë punën me kapacitete të plota si në Koman ashtu edhe në Vaun e Dejës. Siç thamë pra do të kemi edhe një prurje, por edhe agravim të motit. Do të ketë disi një përmirësim të motit gjatë ditës së enjte, por më pas do ketë një agravim tjetër të premten”, shtoi ministrja.
