Gruaja e shefit të nëndetëses së zhdukur, pasardhëse e dy pasagjerëve të Titanikut

Bashkëshortja e shefit ekzekutiv të nëndetëses turistike të zhdukur është e afërmja e një çifti të pasur të Nju-Jorkut, i cili u mbyt në bordin e Titanikut.

Sipas BBC, ajo është stërmbesa e Isidor dhe Ida Straus – dy pasagjerë të klasit të parë që ishin në bordin e Titanikut kur u mbyt në 1912.

Wendy Rush është e martuar me Stockton Rush, një nga pesë burrat e bllokuar në nëndetësen Titan,  që u zhduk të dielën gjatë një udhëtimi për të vizituar rrënojat historike të Titanikut.

Ajo është drejtoreshë e komunikimit në OceanGate dhe ka qenë në tre ekspedita në mbytjen e Titanikut, thotë faqja e saj në LinkedIn.

Ndërkaq, sipas BBC, familjarët e Wendy Rush ishin ndër pasagjerët më të pasur të Titanikut. Isidor dhe vëllai i tij Nathan ishin bashkëpronarë të dyqanit Macy.

Të mbijetuarit e tragjedisë së Titanic, asokohe, thanë se kishin parë Isidorin të refuzonte një vend në një varkë shpëtimi derisa të gjitha gratë dhe fëmijët kishin hipur. Ida, gruaja e tij prej 40 vitesh, nuk pranoi të shkonte pa burrin e saj.

Të dy u panë të përqafuar ndërsa anija po zbriste. Një version i trilluar i kësaj skene u përshkrua në filmin e vitit 1997, duke treguar një çift duke u përqafuar në shtrat ndërsa uji ngrihet rreth tyre. Sipas arkivave të New York Times, trupi i Isidor u gjet në det rreth dy javë pas fundosjes. Eshtrat e Idës nuk u gjetën kurrë.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.