Google paditet për diskriminim të gjuhës shqipe

Gjiganti teknologjik Google është kallëzuar në Gjykatën e Lartë të Kalifornisë. 

Bëhet me dije nga burimet për mediat se kallzimi ka ardhur për mospërfshirjen e gjuhës shqipe në gjuhët e mbështetura nga Google. Ky diskriminim ka pasur pasoja të mëdha në media, marketing, investime të huaja, zhvillim ekonomik dhe teknologjik në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që flitet gjuha shqipe.


Padia është ngritur nga Z. Haki Dervishi – shtetas amerikan me banim në Palm Springs Kaliforni, i dekoruar rishtazi nga Presidenti Biden me Dekoratën dhe Mirënjohjen Jetësore për kontribut të vazhdueshëm për kombin Amerikan, dhe Dr. Neshad Asllani – mjek i njohur kosovar, themelues i “Qendrës Kosovare për të Drejtat e Njeriut” dhe anëtar bordi në organizatën “Dekada për të Drejtat e Njeriut” në New York.

Në njoftimin për media thuhet se paditësit besojnë se diskriminimi i vazhdueshëm i gjuhës shqipe nga Google ka bërë që folësit e gjuhës shqipe të diskriminohen nga pjesa tjetër e Evropës dhe botës në zhvillimin e biznesit, në marketing dhe gazetari, pasi janë të përjashtuar nga platformat Google Ads, Google Adsense dhe Google Admob.


Kontributi i Z. Dervishit dhe Dr. Asllanit për Kosovën është shumëdimensional qysh nga fillimi i viteve të 90-ta. Vlen të ceket, dokumentimi i shkeljes së të drejtave të njeriut dhe lobimi i vazhdueshëm në Kongresin Amerikan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Copyright © 2024 Miks News. All rights reserved.